City po merr formën e Guardiolës, por statistikat…

19/09/2017 00:00

Manchester City prodhoi një prej paraqitjeve më spektakolare sulmuese këtë sezon, me shkatërrimin që i bëri Ëatfordit 6-0 në “Vicarage Road”, një mesazh i qartë se për titullin do të vlejnë më shumë se kurrë milionat e sheikut arab të “Citizens”.

Skuadra e trajnerit Pep Guardiola u rikthye me një ritëm fantastik pas pushimit të kombëtareve, duke shënuar 15 gola në 3 ndeshje, gjë që po e kthen ekipin të denjë për filozofinë sulmuese të teknikut spanjoll.

Por pavarësisht se gjendet në majën e renditjes, së bashku me rivalët e të njëjtit qytet, si Manchester United, në fakt ky është fillimi më i keq sezonal për Cityn në 3 vite.

“Citizens” kanë marrë 13 pikë nga 15 të mundshmet, që është më pak se maksimumi i marrë në dy sezonet paraardhëse. “Armata” disamilionëshe e Pep Guardiolës la pikë ndaj Evertonit më 21 gusht. Gjithsesi ngushëllon fakti se sërish gjenden në majë dhe do të vazhdojnë luftën në fushë, si dhe atë psikologjike me “djajtë e kuq” të Mourinhos.

Mesfushori Kevin De Bruyne duket se është në qendër të gjithçkaje të mirë në lojën e skuadrës nga “Etihad Stadium”, madje trajneri Guardiola e cilësoi si një prej futbollistëve më të mirë që ka parë. Ky është vërtet një vlerësim i madh, nga një trajner që ka parë e stërvitur për 3 vite Lionel Messin.

Top Channel