Vidhnin portofolat, arrestohen 27 shqiptarë në Greqi

18/09/2017 00:00

Gjatë një operacioni të mirëorganizuar policia greke ka arrestuar 31 persona, prej të cilëve 27 shtetas shqiptarë, si pjesë e një rrjeti kriminal që kryente vjedhje masive portofolash brenda mjeteve të shërbimit urban në Athinë dhe Pire.

Sipas shefit të policisë së Athinës, grupi në fjalë, në mënyrë të organizuar dhe sistematike, kryente të paktën 15 vjedhje portofolash në ditë duke nxjerrë fitime nga mëngjesi deri në mbrëmje të paktën 3500 euro.

Pas arrestimit dhe hetimeve të para janë zbardhur 764 vjedhje portofolash, janë konfiskuar 498 portofola të tjerë si dhe një shumë prej  9500 euro si prova materiale. Gjithashtu, në kuadrin e operacionit, janë kryer edhe kontrolle në mbi 27 banesa të personave të dyshuar.

“Vlerësojmë se pjesëtarët e rrjetit kriminal kanë kryer më shumë se 4000 vjedhje portofolash dhe se fitimet nga veprimtaria e tyre shumëvjeçare shkojnë në qindëra mijëra euro”, tha Christos Papazifiris shefi i Departamentit të Policisë së Athinës.

Vjedhjet kryheshin në bazë të një plani të hollësishëm. Dy ose tre prej tyre visheshin si turistë dhe përdornin metronë drejt apo nga aeroporti. Rreth dhjetë të tjerë i rrethonin viktimat që do bëheshin pre e tyre dhe duke i shtyrë dhe tërhequr vëmendjen, u vidhnin portofolat të cilat më pas i boshatisnin dhe i hidhnin menjëherë në koshat e mbeturinave në stacionet e metrosë. Shumica e viktimave ishin turistë të huaj.

Burime të policië greke bëjnë me dije se janë identifikuar dhe janë dhënë urdhra arresti edhe për 18 persona të tjerë anëtarë të këtij rrjeti, një pjesë e madhe e tyre shtetas shqiptarë.

Top Channel