
Sulmuesi i Genoa-s, Pietro Pellegri vetëm 16 vjeç, hyn në historinë e Serisë A si lojtari më i ri në moshë që shënon një dygolësh në këtë kampionat.
Në sfidën Genoa-Lazio djaloshi tregoi gjithë stofin e tij prej talenti të mirëfilltë. Me një fytyrë adoleshenti, por fizik prej sulmuesi të formuar, Pellegri nuk është bërë pre e sofizmave të tilla pasi është shumë i ri për t’u lancuar, por është hedhur në aksion nga tekniku Juric.
Golin e parë në kampionat Pellegri e pati shënuar në 28 majin e shkuar në “Olimpico” përballë Romës pikërisht ditën kur Francesco Totti i dha lamtumirën futbollit të luajtur. Të shumtë janë ata që e lidhin atë gol me fatin e përcaktuar prej një ylli të Pellegri-t, si një stafetë e dorëzuar drejt suksesit. Tre muaj më pas, shifrat e këtij djaloshi janë impresionuese, në 131 minuta të luajtura ka shënuar plot 3 herë dhe tashmë me Lapadula-n e dëmtuar, Juric mund t’i krijojë më shumë hapësirë.
Jehona që shoqëron emrin e Pellegrit duket se po rritet, me shumë tifozë që tashmë po ngrenë pyetjen nëse Italia ka gjetur Mbappe-n e saj.
Krahasimi nuk është i tepruar duke qenë se në moshën e 16-vjeçarit edhe francezi Mbappe kishte luajtur disa minuta në Ligën 1 me Monakon. Milani e ka nuhatur këtë talent dhe më një lëvizje të shpejtë në orët e fundit të merkatos ka hedhur themelet e marrëveshjes për transferimin e tij në muajin janar.
Njëkohësisht skuadra të tjera të mëdha italiane po tregohen vigjilente karshi talentit Pellegri, ndërkohë që është Juric ai do të shfrytëzojë aktualisht shërbimet e tij.
Top Channel