SHBA dhe Koreja e Jugut, më shumë sanksione ndaj Veriut

17/09/2017 00:00

Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij koreano-jugor Moon Jae-in, ranë dakord që të intensifikojnë presionin ekonomik dhe diplomatik ndaj Koresë së Veriut, për shkak të testeve të përsëritura bërthamore dhe raketore.

Dy liderët folën në telefon të dielën dhe zyrat e tyre publikuan një përshkrim të bisedës. Në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë raportohet se dy presidentët, veçse ranë dakord që të rritin presionin ndaj Koresë së Veriut, gjithashtu do të shtojnë masat mbrojtëse.

Mjaft më i qartë Trump në mesazin e tij të zakonshëm në Twitter.
“Fola me presidentin Moon, të Koresë se Jugut dhe e pyeta se si po ia çon njeriu i raketave. Radhë të gjata për karburant po formohen atje, shumë keq”, shkroi Trump në Twitter. 

Në të njëjtin kuadër u shpreh edhe stafi i presidentit koreano-jugor, Moon, anëtarë të të cilit thanë se presidentët ishin plotësisht dakord për masat të reja ndaj Koresë së Veriut, e cila mori paralajmërmin se izolomi i mëtejshëm do ta çojë drejt kolapsit.

Koreja e Veriut, me testet e fundit dhe sidomos injorimin e hapur të OKB-së, është shndërruar në një ‘kokëçarje’ të madhe për diplomacinë botërore, aq sa SHBA është detyruar të ketë një plan B, në rast se tensionet zbrazen në fushën e betejës.

Top Channel