Vrau të riun me ngjyrë, protesta kundër shfajësimit të agjentit

16/09/2017 00:00

Një ish-agjent policie në Misuri të Shteteve të Bashkuara është shfajësuar nga akuza për vrasjen e një të riu me ngjyrë, të cilin e kishte qëlluar pesë herë pas një ndjekjeje me makinë.

Gjyqtari e shpalli agjentin Jason Stockley të pafajshëm ndaj akuzës për vrasje të shkallës së parë, e ndodhur në vitin 2011 në Seint Luis, ku viktimë mbeti 24-vjeçari Anthony Lamar Smith.

Stockley, 36 vjeç, ishte regjistruar gjatë ndjekjes me makinë të thoshte: “Do ta vras këtë tip”.

Vendimi i gjykatës shkaktoi protesta në rrugët e qytetit. Policia arrestoi 13 persona, ndërkohë që 4 oficerë mbetën të plagosur. Ndaj demonstruesve u përdor spraj djegës, pasi efektivët deklaruan se ndaj tyre ishin gjuajtur gurë dhe shishe plastike uji.

Guvernatori i Misurit, Eric Greitens deklaroi më parë se këtë javë do të angazhohej Garda Kombëtare për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe pronat e tyre. Zyrtari republikan tha gjithashtu se, ky hap ishte një masë e domosdoshme.

24-vjeçari Anthony Lamar Smith, bashkëshort dhe baba i një fëmijë, mbeti i vrarë më 20 dhjetor 2011. Agjenti Stockley dhe kolegu i tij thanë se kishin kujtuar se ai kishte marrë pjesë në një ujdi droge jashtë një restoranti pranë qendrës së Seint Luis.

Top Channel