Tirana e nis me fitore, pikët e para në Kategorinë e Parë

16/09/2017 00:00

Tirana ka debutuar për herë të parë në historinë e saj në Kategorinë e Parë, duke fituar përball Ilirisë me rezultatin e ngushtë 1-0. Pas shumë muajsh mungese, në këtë ndeshje Tiranës i janë rikthyer tifozët të cilët edhe pse të pranishëm për skuadrën kanë vazhduar kritikat dhe akuzat ndaj presidencës aktuale.

Bardheblutë e kanë gjetur golin në fundin e takimit me Maveje pasi kane vuajtur presionin e të ashtuquajturës detyrim për të fituar në një kategori inferiore, ku çdo skuadër do të kërkojë të bëjë maksimumin për ta penguar me një motivim ekstra përball 24 herë kampionëve të Shqipërisë.

“Jam i kënaqur vetëm për tre pikët, për pjesën tjetër jo sepse ju e dini tashmë sa kërkues jam. Skuadra ishte pak nervoze sepse luante ndeshjen e parë në shtëpi dhe me detyrimin për ta fituar dhe në këtë gjendje nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh. Megjithatë treguam karakter dhe dëshirë për të fituar pavarësisht këtyre vështirësive”, tha trajneri Ze Maria.

Ndërkohë një nga lojtarët më të përfolur të Tiranës Albi Doka është lënë nga trajneri në tribunë, duke konfirmuar një çështje të hapur që Ze Maria e thotë shumë qartë.

“Doka është një lojtar si të gjithë të tjerët. Doka duhet te jete i disiplinuar si të gjithë të tjerët ashtu si është kapiteni si është Lika lojtarë që janë për t’u marre shembull tek ky grup. Nëse nuk disiplinohet dhe nuk bën gjërat që bëjnë të tjerët, atëherë nuk mund të luaj tek kjo skuadër”, tha Ze Maria.

Top Channel