Ultimatum Katalunjës: Ndalni referendumin, ose sekuestro financave

15/09/2017 00:00

Qeveria spanjolle i ka dhënë vetëm 48 orë kohë qeverisë rajonale në Katalunjë, për të braktisur planet “e jashtëligjshme” për referendum, në të kundërt do të humbasin kompetencat buxhetore.

Ministri i Financave, Cristobal Montoro tha se një mekanizëm është aprovuar për shtetin, që të marrë kontrollin e financave të rajonit autonom.

Madridi synon fuqishëm të ndalë qeverinë katalanase të shpenzojë paratë publike për referendumin e parashikuar për pavarësi. Katalanasit vet janë duke sfiduar urdhrin e gjykatës për të ndalur votimin që pritet të mbahet më 1 tetor.

Presidenti katalanas, Carles Pugdemont nisi fushatën e tij për votën “pro” mesnatën e së enjtes në qytetin Tarragona, duke iu thënë simpatizantëve të mbledhur në një ish-arenë demash “të votojnë, pasi kështu do të mund të hedhin dritë mbi errësirën që ka zgjatur kaq shumë vite”.

Dhe turma e ekzaltuar iu kundërpërgjigj në kor me thirrjet “Pavarësi”, “Do të votojmë” dhe “Nuk kemi frikë”, siç raporton agjencia e lajmeve “AFP”.

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy e ka çuar këtë çështje drejtpërdrejt në Barcelonë, ku këtë të premte i është drejtuar një takimi të Partisë së tij Popullore në kryeqytetin katalanas.

E nëse ky ultimatim nuk përmbushet, qeveria qendrore do të marrë frerët e financimit të shërbimeve më jetike publike në rajon, shtoi më tej ministri Montoro.

“Këto masa po ndërmerren për të garantuar se as edhe një euro e vetme nuk do të shkojë për financimin e akteve ilegale”, është cituar të ketë thënë ai për “Reuters”, pas takimit të kabinetit qeveritar në Madrid.

“Kjo marrje kompetencash do të zgjasë për aq kohë sa zgjat edhe kjo situatë e paligjshme”, shpjegoi më tej ai.

Financat publike janë një çështje veçanërisht kontradiktore për katalanasit, të cilët prej vitesh kanë kontribuuar më shumë në buxhetin e shtetit, nga sa kanë marrë përmes shpenzimeve qeveritare apo shërbimeve publike.

Separatistët në rajonin shumë të pasur ekonomikisht, në verilindje të Spanjës, kanë vijuar të promovojnë projektin e referendumit, pasi fituan kontrollin e Parlamentit rajonal në vitin 2015, të nxitur nga pakënaqësia shumë e madhe ndaj qeverisë së Madridit.

Top Channel