Shqetësimet e Inspektoriatit të KLD-së për Vettingun

15/09/2017 00:00

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi mbledhjet plenare nën drejtimin e Presidenti Ilir Meta, ku Inspektoriatit ngriti shqetësimin për mungesën e procedurave që duhet të ndiqen gjatë vlerësimit profesional të gjyqtarëve, që në fakt duhet të vendosen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Megjithatë, ky shqetësim gjeti mbështetjen e të gjithë anëtarëve, të cilët u shprehën bashkëpunues në përshpejtimin e procesit të Vettingut.

Por, cilat janë shqetësimet e Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i përcaktuar si një nga organet ndihmëse të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit gjatë rivlerësimit profesional të gjyqtarëve?

Në shkresën që Top Channel disponon thuhet se pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë dorëzuar formularët e vetëvlerësimit profesional 466 gjyqtarë e ndihmësligjorë që nga Shkalla e Parë deri në Kushtetuese. 

Vështirësia themelore, thonë inspektorët lidhet me mungesën e udhëzimeve për procedurat e detajuara që duhet të ndiqen për rivlerësimin profesional të gjyqtarëve.

“Kjo situatë bën shumë sensitive çështjen e miratimit të udhëzimeve të qarta nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit të cilat duhet të përfshijnë rregulla për shortimin e çështjeve gjyqësore që duhen përzgjedhur për shortim, procedurat për tërheqjen e informacionit të nevojshëm tek institucionet e treta, si dhe modele të standardizuara të akteve administrative”, thuhet aty.
 
Inspektorët kujtojnë se me hyrjen në fuqi të ligjit të vettingut ishte në zbatim ligji i vlerësimit të gjyqtarëve i vitit 2008, sipas të cilit për të vlerësuar punën e një  gjyqtari përdoreshin burime të ndryshme mes tyre edhe për volumin e gjyqeve dhe dosjeve që zvarriten.

“Rrjedhimisht është e paqartë se cila normë do të zbatohet në burimet e vlerësimit. Zgjidhja e kësaj çështjeje është e lidhur drejtpërdrejtë me suksesin e  procesit të Vettingut në drejtim të afatit të caktuar nga ligji”, thotë Inspektoriati i KLD-së.

Në shkresë thuhet se kjo situatë i është relatuar edhe Presidentit në cilësinë kryetarit të KLD-së i cili ka kërkuar:

“Të merren masa të menjëhershme për hartimin e një projekt-udhëzimi për kriteret dhe standardet e vlerësimit profesional  nga Inspektoriati i KLD-së për subjektet e rivlerësimit që kanë depozituar formularët dhe dokumentin shoqërues pranë KLD-së. Gjatë hartimit, ky projekt-udhëzim të konsultohet me Operacionin Monitorues Ndërkombëtar, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit , si dhe të jetë gati  brenda datës 20 shtator”, kërkon Presidenti Meta.

Top Channel