“Fluturon” Red Bull, Ricciardo i pakapshëm në Singapor

15/09/2017 00:00

Red Bull është bërë me “krahë” edhe në sesionin e dytë të provave të lira për Çmimin e Madh të Singaporit. Daniel Ricciardo ka udhëhequr grupin e pilotëve më të shpejtë, duke vendosur rekordin e  fundjavës me kohën 1.40.852.

Australiani vendosi rekordet e ditës në të tre sektorët e pistës, në harkun e 33 xhirove, me gomat ultra soft. Koha e dytë më e mirë u regjistrua nga piloti tjetër Red Bull, Max Verstappen, me rreth 6 të dhjetat më ngadalë.

Ndryshe nga sesioni i parë, në të dytin ishte Mercedes që u shfaq më mirë pas Red Bull, me Hamilton që u rendit i treti dhe menjëherë pas tij Bottas. Ky sesion nuk pati një qasje të mirë për Ferrarit, që u duk sikur kërkoi më shumë të mblidhte të dhëna me Vettel, ndërkohë që shumë vështirësi pati të kapte ritmin e Red Bull e Mercedes.

Raikkonen e mbylli i 9-ti këtë sesion me diferencë prej 1.9 sekonda më ngadalë se Ricciardo. Vettel, që xhiroi për pjesën më të madhe të kohës me gomat soft, u rendit në vendin e 11.

Top Channel