F1, Ricciardo: Jemi për “pole position”. Max iu frikësohet pretendentëve

15/09/2017 00:00

Daniel Ricciardo nuk ka sesi të mos jetë entuziast, pas provave të lira për Çmimin e Madh të Singaporit, që e kanë parë atë në krye të klasifikimit në të dyja sesionet.

“E prisja që të shfaqeshim kaq mirë, – ka deklaruar australiani i Red Bullit. – Sigurisht kemi shumë mundësi të mira për të fituar këtu. Kjo makinë është për ‘pole position’ dhe më shumë”.

Me plot besim është shfaqur edhe shoku i tij i skuderisë, Max Verstappen. “Duket se jemi shumë të fortë këtu. Jam i kënaqur, sepse ishte një ditë pozitive për ne”, tha holandezi.

Daniel, pavarësisht të nxehtit të madh, është dukur tepër i qetë.

“Makina po funksionon shumë mirë, kjo pistë më pëlqen dhe, pavarësisht temperaturave të padurueshme, mbërrita këtu tepër i përgatitur. Kam zhvilluar disa xhiro me gomat super të buta, kështu që mendoj se mund t’ia dalim të bëjmë një garë me vetëm një ndalesë në bokse. Në aspektin fizik është garë e vështirë, por kjo dihej. Më pëlqen kjo sfidë”.

Ndërsa Verstappen duket se ka ende frikë nga Ferrari dhe Mercedesi. “Mendoj se dy skuderitë pretendente do të afrohen më shumë në provat zyrtare të së shtunës, por ne jemi sërish shumë të shpejtë. Distanca ime me gjysmësekondi pas Danielit? Ai është gjithnjë i shpejtë, plus që mua m’u desh ta braktisja xhiron time të shpejtë për shkak të fërkimit me Grosjean. Por mund të bëj më mirë dhe jam i sigurtë për këtë”.

Top Channel