Dhuna në SHBA, Trump iu rikthehet argumenteve të vjetra

15/09/2017 00:00

Donald Trump e përsëriti edhe njëherë argumentin polemizues se të dyja palët kishin faj në incidentin e ndodhur në Charlottesville muajin e kaluar.

“Ka shumë njerëz që thonë sot ‘Trump mund të ketë pasur të drejtë’”, u shpreh presidenti, edhe pse vetëm disa orë më vonë firmosi rezolutën që dënon supremacistët e bardhë, neonazistët, “Ku Klux Klanin” dhe grupe të tjera të urrejtjes, pas dhunës së 12 gushtit, ku një grua u përplas për vdekje me makinë.

Kreu i administratës amerikane i rindezi debatet mbi çështjen nevralgjike të enjten, kur u takua me senatorin me ngjyrë të Karolinës së Jugut, Tim Scott, njeriu që i dënoi më ashpër komentet e tij pas episodit tronditës.

“Nëse e sheh me kujdes se çfarë ndodhi atje, kupton se edhe në krahun tjetër, tek antifashistët ka pasur disa njerëz të këqinj”, u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë, i ndërgjegjshëm për reagimet që do të ngjallte.

Megjithatë, rezolutën e miratuar unanimisht nga Kongresi javën e kaluar, e firmosi – siç tha, – me kënaqësi.

“Ne si amerikanë e dënojmë dhunën në Charlottesville dhe i kundërvihemi urrejtjes, fanatizmit dhe racizmit në të gjitha format e tyre”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga presidenti.

Scott, nga ana e tij, sqaroi se nuk pret që retorika e Trump të ndryshojë pas një bisede 30-minutëshe.

“Elementë problematikë ka dhe mes antifashistëve dhe ata duhen dënuar, – u shpreh senatori. – Por ‘Ku Klux Klani ka vrarë e tortuar persona me ngjyrë për shekuj të tërë, ndaj nuk ka sesi hiqen paralele mes tyre”.

Top Channel