Dhuna në Mianmar, “AI” sjell prova satelitore

15/09/2017 00:00

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International publikoi imazhe satelitore që, sipas saj, tregojnë fushatën e organizuar për të djegur fshtatrat e rohingijave në perëndim të Mianmarit.

Amnesty pretendon se këto janë provat që tregojnë fare hapur përpjekjet e ushtrisë për të dëbuar këtë minoritet mysliman nga vendi. Sipas kësaj organizate, provat veç mjeteve teknologjike si satelitët, fotografitë dhe videot, bazohen edhe tek dëshmitë e dëshmitarëve okularë që tregojnë se prej tre javësh ushtria djeg sistematikisht fshatrat e myslimanëve Rohingija.

Amnesty thotë se provat tregojnë qartë që forcat e sigurisë në Mianmar po e djegin krahinën rakine dhe ky është spastrim etnik. Por, ushtria pretendon se po lufton militantë dhe thotë se nuk shënjestron civilët. Thuajse 400 000 Rohingija janë strehuar në Bangladesh që kur dhuna nisi dhe vetë qeveria e Mianmarit thotë se 30% e fshatrave të tyre janë zbrazur.

Presioni ndërkombëtar është shtuar ndjeshëm edhe mbi lideren “de facto” të Mianmarit dhe ironikisht fituesen e çmimit Nobel për paqen, Aung San Su Kii që të ndalë dhunën. Por, deri tani ajo jo vetëm që nuk ka bërë asgjë, por tërthorazi ka mbështetur fushatën ndaj rohingijave, duke bërë që shumë njerëz të kërkojnë që t’i hiqet çmimi Nobel.

Top Channel