“Austro-Hungaria” e Çekia, stërvitje në pritje të emigrantëve

15/09/2017 00:00

Austria, Hungaria dhe Republika Çeke zhvilluan një stërvitje të përbashkët ushtarake, me qëllim që të testojnë koordinimin dhe gatishmërinë për reagim në rast të një fluksi të ri emigrantësh.

Stërvitja u mbajt në Allentsteig, rreth 100 km në veriperëndim të Vjenës, e në të përfshiheshin rreth 800 ushtarë austriakë në rolin e emigrantëve, që i afroheshin një pike kontrolli kufitar në këmbë, si dhe kolegët e tyre që simuluan procedurat e kontrollit të turmës dhe regjistrimin e të ardhurve.

Stërvitja ishte pjesë e një serie trajnimesh njëjavore, me qëllim testimin e mekanizmave të përbashkëta të reagimit të këtyre vendeve, në rast të një tjetër vale emigrantësh të ngjashme me atë të vitit 2015, kur qindra e mijëra vetë udhëtuan përmes Ballkanit dhe Austrisë, drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Europës Perëndimore.

Që nga ajo kohë, disa vende të Europës Qendrore kanë këmbëngulur për më shumë bashkëpunim dhe koordinim në kontrollin e kufijve të jashtëm të BE-së, e kanë nënshkruar disa marrëveshje dypalëshe, duke i lejuar Forcave të Armatosura respektive të veprojnë në territoret e tyre në raste emergjencash, pa pritur miratimin e Brukselit.

Top Channel