Akt terrorist në Londër, 22 të plagosur nga shpërthimi në metro

15/09/2017 00:00

Plot 22 të lënduar, disa prej të cilëve me plagë e djegie në fytyrë, shkaktoi shpërthimi i një bombe të improvizuar në stacionin e metrosë “Parsons Green” në jugperëndim të Londrës.

Autoritetet britanike e klasifikuan episodin si “akt terrorist”. Dëshmitarët në vendngjarje flasin për një lëmsh flakësh dhe vrapimin e rrëmujshëm të njerëzve të tmerruar.

“Njerëzit filluan të shtyheshin e të rrëzoheshin në tokë. Kishte fëmijë të vegjël që shkonin për në shkollë. Njerëzit ishin në panik të plotë”, thotë një dëshmitar.

Policia gjeti një kovë të mbushur me lëndë plasëse në vagonin e njërit prej trenave në stacionin “Parsons Green”, ku shërbimet u pezulluan përkohësisht.

Sidoqoftë, mekanizmi i improvizuar shpërthyes nuk shkaktoi dëme të mëdha. Ekspertët thonë se bëhej fjalë për një bombë artizanale, aspak të sofistikuar.

Udhëtarët u evakuuan me shpejtësi nga zona, e mbushur menjëherë nga forca të shumta policore. “Scotland Yard” ka zgjedhur ta mbajë publikun të informuar përmes rrjeteve sociale, “Twitter” e “Facebook”, ku sqaron se do të ofrojë informacione të detajuara sapo të zbardhet situata.

Përdoruesit e kësaj linje u këshilluan të gjenin rrugë alternative, e ta shmangnin sa më shumë që munden zonën e rrethuar menjëherë nga policë të armatosur.

“Mendimet tona janë me të plagosurit, ndërsa ekipet e ndërhyrjes së shpejtë po i përgjigjen trimërisht këtij incidenti terrorist”, shkroi në “Twitter” kryeministrja Theresa May, e cila thirri me urgjencë mbledhjen e Komitetit qeveritar të Emergjencave, “Cobra”.

Top Channel