Tragjedi në Malajzi, zjarri vret 24 nxënës e mësues

14/09/2017 00:00

Plot 24 nxënës e mësues kanë gjetur vdekjen, mes flakëve që shkrumbuan një shkollë fetare në Kuala Lumpur të Malajzisë.

Zjarri shpërtheu orët e para të mëngjesit të së enjtes, duke i lënë viktimat të bllokuar në fjetoret e tyre, dritaret e të cilave janë të mbyllura me kangjella.

Kreu i Departamentit të Zjarreve dhe Operacioneve të Shpëtimit, Khirudin Drahman e cilësoi ngjarjen si “fatkeqësinë më të rëndë të këtij lloji në vend prej 20 vitesh”. Prej të vdekurve 22 janë nxënës, që të gjithë djem të moshave nga 13 deri në 17 vjeç.

“Pjesa e brendshme e godinës është dëmtuar në masën 100%. Dyshekë, rafte librash e sende të tjera nëpër dhoma janë shkatërruar krejtësisht, por shkaku i aksidentit nuk është zbardhur ende. Ne po vazhdojmë hetimin”, tha Abu Obaidat, nga Departamenti i Zjarreve në Kuala Lumpur.

Flakët nisën në 5:40 të mëngjesit, me orën lokale, e sipas policisë tragjedia ka marrë udhë pikërisht në kompleksin e fjetoreve, ndoshta nga një qark i shkurtër apo djegia e një pajisjeje kundër mushkonjave.

Të miturit që frekuentojnë shkollat islamike “Tahfiz”, ku studiohet Kurani, shpeshherë edhe jetojnë atje. “Fëmijët thërrisnin për ndihmë, por ne nuk hynim dot, sepse dera ishte e gjitha në flakë”, tha për “Reuters” një prej banorëve që jetojnë pranë shkollës.

Sipas shefit të policisë, Amar Singh, viktimat me shumë mundësi janë asfiksuar nga tymi.

Top Channel