Shkreli kthehet në burg, kërcënoi Clintonin

14/09/2017 00:00

Martin Shkreli, ish-drejtori i kompanisë farmaceutike “Turing”, do të qëndrojë në burg me urdhër të gjykatëses së çështjes, e cila arriti në përfundimin se shqiptaro-amerikani, i etiketuar si njeriu më i urryer i Amerikës për rritjen e skajshme të çmimit të një medikamenti kundër SIDA-s, kishte shkelur paktin e lirimit me kusht.

Shkreli ka postuar një mesazh në “Facebook”, që sipas gjykatëses përbënte kërcënim për ish-kandidaten presidenciale Hillary Clinton.

Vetëm një muaj më parë, 34-vjeçari u shpall fajtor për mashtrim të investitorëve në dy fonde financiare të administruara prej tij, por deri në shpalljen përfundimtare të dënimit, nga mesi i muajit janar, i ishte dhënë lirimi me kusht.

Në postimin që do ta lërë pas hekurave, Shkreli ofronte 5.000 dollarë për këdo që do t’i shkulte Clintonit një fije floku, gjatë turit që ajo po bën për promovimin e një libri të ri.

Avokatët e tij mbrojtës u përpoqën të argumentojnë se mesazhi nuk ishte gjë tjetër, veçse një satirë politike. Por gjyqtarja Kiyo Matsumoto nuk e pa atë me humor, e tha se oferta mund të merrej seriozisht nga kundërshtarët e ish-kandidates demokrate.

“Një gjë e tillë nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë”, tha gjyqtarja. “…Autoritetet qeveritare patën deklaruar se mesazhi në ‘Facebook’ i kishte vënë në alarm pjesëtarët e shërbimit sekret që mbron ish-Zonjën e Parë”.

Top Channel