Serbi-Rusi, gjysmëfinalja e dytë në Eurobasket

14/09/2017 00:00

Serbi-Rusi do të jetë gjysmëfinalja e dytë e Kampionatit Evropian të basketbollit për meshkuj.

Skuadra ballkanase e drejtuar nga Sasha Djordjevic eliminoi me lehtësi në çerekfinale Italinë, teksa e mposhti me rezultatin 83-67. Italia rezistoi vetëm në periodën e parë, që u mbyll 18-17 për Serbinë, e cila që nga perioda e dytë mori kontrollin e plotë të ndeshjes, kjo edhe falë lojës së mirë nën tabelë të basketbollistëve të saj.

Më i miri në parket për skuadrën serbe ishte Bogdan Bogdanovic, i cili e mbylli këtë sfidë me 22 pikë, 6 topa në tabelë dhe 4 asist. Serbinë tani e pret një sfidë akoma më e vështirë, ajo me Rusinë.

Kjo e fundit u tremb jo pak nga Greqia, që e kishte bërë surprizën e parë duke eliminuar Lituaninë. Në fillim ishte skuadra helene ajo që dominoi në parket kundrejt rusëve, madje në një moment të sfidës ajo e çoi avantazhin kundrejt skuadrës ruse në +10 pikë (49-39). Por Rusia filloi pak nga pak të marrë frenat e lojës në dorë dhe kjo falë Shved, i cili shpërtheu në periodën e tretë duke shënuar 17 pikë, për të ndihmuar Rusinë që me rezultatin e pjesshëm 19-4 të marrë avantazhin, për ta mbyllur më pas sfidën 74-69 dhe të jetë mes 4 skuadrave më të mira të Evropës, gjë që i mungonte që nga viti 2011.

Top Channel