“Lista Serbe” merr mbështetjen e partisë së Putinit

14/09/2017 00:00

Partia politike e kreut rus, Vladimir Putin, “Rusia e bashkuar” i shprehu mbështetjen “Listës Serbe” dhe përpjekjeve të saj për të luftuar për të drejtat dhe përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës, si pjesë e institucioneve të reja.

Siç raportojnë mediet serbe, gjatë takimit të kryetarit të “Listës Serbe”, Goran Rakiç, dhe drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Beogradit, Marko Gjuriç, me delegacionin e “Rusisë se bashkuar” në Moskë, pala ruse ka theksuar se uniteti politik serb duhet të konfirmohet edhe në zgjedhjet lokale.

“Rusia respekton politikën e Serbisë në Kosovë. Më vjen mirë që ‘Lista Serbe’ ka përforcuar pozicionet e veta dhe që të gjitha çështjet e Kosovës do të zgjidhen me mendimin e popullit serb. Kjo është mundësi e madhe për përmirësimin e kushteve të serbëve në Kosovë”, citon “RTV” të ketë thënë kreu i delegacionit rus, Sergej Zheleznjak.

Gjuriç ka theksuar në takim se, për herë të parë që nga viti 1999, Qeveria e Kosovës varet nga votat e serbëve, e sipas tij kjo është një mundësi për përmirësimin e pozitës së serbëve dhe mbetjen e tyre në Kosovë.

Rakiç falënderoi kolegët rusë për përkrahjen e palëkundur, duke theksuar se lidhjet e forta me Federatën e Rusisë janë inkurajim dhe nxitje e madhe për popullin serb, duke ftuar Zheleznjak t’i vizitojë serbët në Kosovë.

Top Channel