Florida, Trump garanton mbështetje pas “Irmës”

14/09/2017 00:00

Presidenti Donald Trump garantoi të enjten banorët e Floridës së rrënuar nga uragani “Irma”, për mbështetjen e qeverisë amerikane në vizitën e tretë të tij në këtë shtet, gjatë 3 javëve të fundit.

Ai përgëzoi po ashtu skuadrat e emergjencave për kufizimin e numrit të viktimave të uraganit “Irma”, stuhia e dytë e madhe që godet SHBA-të këtë vit.

“Dua t’iu them se jemi 100 për qind me ju. Do të kthehem edhe shumë herë të tjera këtu. Ky është një shtet që e njoh shumë mirë, siç e dini, dhe këta janë njerëz specialë që ne i duam”, tha Trump.

Vizita e Trump vjen pasi policia në “Hollywood” nisi hetim kriminal për atë që ndodhi në një shtëpi kujdesi për të moshuarit, ku 8 pacientë humbën jetën pasi godina mbeti pa energji elektrike dhe vazhdoi të funksiononte pa ajër të kondicionuar, në një nxehtësi përvëluese.

Presidenti, me kapelën e bejzbollit mbi të cilën shkruhej USA, vizitoi edhe Naples në Florida, afër të cilit “Irma” preku tokën të dielën dhe u shpërndau sanduiçë banorëve në një qendër provizore. Numri i viktimave nga uragani “Irma” shkoi në 81 të enjten, mes të cilëve 38 vetëm në SHBA, e të tjerët në ishujt e Karaibeve, mes të cilëve Puerto Riko, Ishujt Virxhin etj.

Top Channel