Dy sulme në Irak, ISIS shkakton dhjetëra viktima

14/09/2017 00:00

Të paktën 50 persona u vranë në dy sulme të njëpasnjëshme në jug të Irakut. Në sulmin e parë, një atentator vetëvrasës aktivizoi eksplozivin që mbante në trup dhe persona të armatosur hapën zjarr brenda një restorani buzë rruge, pranë Nasiriyas, kryeqytet i rajonit Dhiqar.

Burime të sigurisë njoftuan se, menjëherë më pas, një autobombë shpërtheu pranë një postblloku. Sipas raportimeve mediatike, mes viktimave janë dhe 4 iranianë.

Shteti Islamik mori përsipër autorësinë e sulmeve. Agjencia e lajmeve “AFP” citon një burim të thotë se agresorët ishin veshur si pjesëtarë të “Hashd al-Shaabi”, një grup shiit që lufton krah forcave irakiane kundër ISIS-it.

Grupi xhihadist po pëson disfata të njëpasnjëshme në frontet e luftës, si në Siri, ashtu edhe në Irak, por ai vazhdon të ruajë aftësitë për të ndërmarrë sulme shkatërruese ndaj të ashtuquajturave “shënjestra të buta”.

Zona e sulmuar frekuentohet nga pelegrinët shiitë dhe vizitorë nga Irani, në rrugën e tyre drejt qyteteve të shenjta Najaf dhe Karbala, në veri.

Top Channel