Dialogu Kosovë-Serbi, Thaçi në VOA: Të përfshihet edhe SHBA

14/09/2017 00:00

Pak pasi Aleksandar Vuçiç deklaroi se, deri në fund të tetorit do të përmbyllet dialogu i brendshëm mbi Kosovën, presidenti i kësaj të fundit Hashim Thaçi i mëshon nevojës për një fazë vendimtare në bisedimet me Beogradin.

“Dialogu mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë nuk ka alternativë. Fqinjësia e mirë duhet të fitojë gjithashtu”, u shpreh Thaçi për “Zërin e Amerikës”.

“Është në interesin e dy shteteve, të rajonit, por në interesin edhe të vet investimeve të faktorit ndërkombetar në Kosovë, Serbi dhe rajon. Kjo, sepse paqja Kosovë-Serbi nënkupton paqe dhe qëndrueshmëri për të gjithë rajonin, perspektivë të sigurtë euroatlantike për Kosovën dhe europiane për Serbinë. Pra do të jetë një rrethanë, ku përfitues do të jenë të dyja shtetet, por para së gjithash vlerat euroatlantike”, është komenti i kreut të shtetit të Kosovës, Thaçi.

Thaçi ka lënë të kuptohet se takimet mund të zhvillohen edhe në Shtetet e Bashkuara.

“Rolin kryesor sigurisht do ta ketë Bashkimi Europian, e në mënyrë të veçantë zonja Mogherini”, thekson ai, por ka kërkuar si gjithmonë edhe përfshirjen aktive të Uashingtonit.

Takimi i radhës mes tij dhe Vuçiç mund të zhvillohet ndoshta edhe brenda 10-ditëshit të ardhshëm në Nju Jork. I pyetur nëse do të këmbëngulë për njohjen e Kosovës nga Serbia, presidenti shpjegon se po punohet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve shtetërore, por edhe pajtim mes dy popujve, ndërsa njohja sipas tij do të ndodhë në një të ardhme jo të largët.

Top Channel