Akuza ndaj ministrit serb të Bujqësisë, Haradinaj: Nuk ka qenë i përfshirë

14/09/2017 00:00

Nenad Rikalo është emëruar pak ditë më parë në krye të Ministrisë së Bujqësisë në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, por menjëherë ndaj tij kanë nisur akuzat për torturimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë viteve të luftës.

Janë pikërisht banorët e Kurrizit, në Dardani, që kanë folur për mediet kosovare duke rrëfyer torturat, që sipas tyre Rikalo ka kryer nën uniformë dhe i armatosur gjatë vitit 1999.

Megjithatë, reagimet e banorëve të kësaj zone nuk kanë rënë në vesh të shkurdhër. Kryeministri Haradinaj, në një komunikatë për shtyp thekson se këto pretendime janë hetuar dhe ka edhe një përgjigje zyrtare për ta.

“I kemi marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, siç pretendohet në keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999. Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim kam kërkuar informacione nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës, lidhur me pretendimet e qytetarëve. Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla. Si kryeministër i vendit dua të siguroj qytetarët e Kosovës se, jo vetëm në këtë rast, por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veproj sipas ligjit dhe përgjegjësive që kam”, thotë kryeministri Ramush Haradinaj.

Rikalo është pjesë e “Listës Serbe”, e deri para pak kohësh ka shërbyer si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë.

Top Channel