Filipine, Duterte e lë pa fonde Komisionin e të Drejtave të Njeriut

13/09/2017 00:00

Lufta ndaj drogës e presidentit filipinas, Rodrigo Duterte, ka marrë kritika të shumta nga jashtë dhe brenda vendit, për dhunën e paprecedentë dhe mijëra viktimat që ka shkaktuar për disa muaj.

Por, ndërsa Duterte nuk ka çfarë t’iu bëjë kritikave nga jashtë, fare thjesht eleminon problemin e atyre që vijnë nga brenda.

Dhoma e ulët e Kongresit filipinas, që kontrollohet nga Duterte dhe mbështesit e tij, i akordoi një buxhet prej vetëm 20 dollarësh për vitin e ardhshëm Komisionit për të Drejtat e Njeriut, një organizëm qeveritar që shpesh ka kritikuar luftën kundër drogës.

Vet Duterte e ka sulmuar shpesh këtë komision, që ka dënuar mijëra vrasje të kryera nga policia në fushatën kundër drogës. Sipas parlamentarëve të Dutertes, Komisioni meriton një minibuxhet, sepse është një organizëm i padobishëm.

Disa prej tyre thanë se, meqë ka qejf të mbrojë kriminelët, Komisioni për të Drejtat e Njeriut duhet ta marrë buxhetin nga ata dhe s’ka pse pretendon gjë nga shteti.

Për vitin 2017, Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Filipine pati një buxhet prej rreth 14 milionë dollarësh dhe kishte kërkuar dyfishin e tij. Ndërsa kritikët e Dutertes thonë se presidenti po vret një organizëm kushtetues dhe të pavaruar, vota për buxhetin zero nuk është përfundimtare dhe duhet të mbështetet edhe nga Senati.

Mediet në Filipine thonë se, këtu zor se do të kalojë, pasi Duterte jo vetëm që nuk e kontrollon këtë pjesë të Kongresit, por mbi të gjitha senatorët duhet të mendojnë për zgjedhjet e 2019-s, që po afrohen me shpejtësi.

Top Channel