OKB: Demokracia vdiq!; Reagon ministri i Jashtëm venezuelian

12/09/2017 00:00

Ministri i Jashtëm i Venezuelës akuzoi zyrën e Komisionerit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut se po gënjen. Jorge Arreaza reagoi kështu ndaj fjalimit të shefit të kësaj zyre, Zeid Raad Al-Hussein, i cili paralajmëroi për krime të mundshme kundër njerëzimit në Venezuelë.

Përfaqësuesi i OKB-së tha se, ka shumë mundësi që tensioni në Venezuelë të përshkallëzohet, ndërsa paralajmëroi se demokracia atje thuajse nuk ekziston më.

Sipas Al-Hussein, qeveria e Venezuelës ka shkatërruar institucionet demokratike dhe ka shtypur zërat kritikë përmes arrestimit të udhëheqësve të opozitës, ndalimeve arbitrare, përdorimit të tepruar të forcës dhe keqtrajtimit të të burgosurve, që në disa raste janë torturuar.

Më shumë se 120 njerëz janë vrarë në Venezuelë, që kur nisi vala më e fundit e protestave antiqeveritare më 1 prill. Regjimi i presidentit Nicolas Maduro akuzohet prej kohësh për shkelje të të drejtave të njeriut nga shumë vende, por ky ishte reagimi i parë zyrtar i OKB-së.

Por, këndvështrimi i qeverisë së Venezuelës, edhe në këtë rast është i ndryshëm, pasi ministri Arreaza tha se akuzat nuk kanë bazë dhe kërkoi që Komisioneri i OKB-së të ndalojë agresionin ndaj vendit të tij.

Arreaza tha se raporti i OKB-së është i mbushur me gënjeshtra dhe është një sulm i qartë ndaj Venezuelës.

Situata në këtë vend është tejet e vështirë, për shkak të mungesës së theksuar të ilaçeve, ushqimit dhe mallrave bazë të konsumit, gjë që detyroi edhe Papa Françeskun t’i bëjë apel OKB-së për ndihmë. Madje, kreu i Vatikanit tha se nuk e kupton çfarë po bën presidenti Maduro, ndërsa kriza humanitare në vend është problemi më i madh.

Top Channel