Izolimi i Koresë së Veriut, fqinjët aziatikë: Mbyll programin bërthamor

12/09/2017 00:00

Koreja e Jugut dhe Japonia, dy vendet më të rrezikuara nga zemërimi i Penianit, e përshëndetën vendosjen e sanksioneve të reja të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj vendit komunist.

Për kryeministrin japonez, Shinzo Abe, është e rëndësishme që politika e Veriut të ndryshojë përmes një trysnie të nivelit më të lartë, edhe pse mundësinë e provokimeve të mëtejshme, Tokio nuk e përjashton.

Seuli gjeti rastin t’i kujtojë fqinjit të tij se, e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar izolimit dhe vështirësive ekonomike është përmes mbylljes së programit të tij bërthamor.

“Ne po themi fort dhe qartë se, bota nuk do ta pranojë kurrë një Kore të Veriut me armë bërthamore”, deklaroi të hënën në mbrëmje përpara Këshillit të Sigurimit ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.

“Dhe ajo që ky Këshill po thotë, – vazhdoi Haley, – është se po nuk e ndaloi regjimi koreano-verior programin atomik, do të jemi ne, ata që do të kalojmë në veprim për ndalimin e tij”.

Ambasadorja sqaroi se, dispozitat e rezolutës do të shkurtojnë në mënyrë drastike aftësitë e Koresë së Veriut për të financuar programin e saj bërthamor dhe atë të raketave balistike.

Nëse zbatohen në tërësi, ato do të shkurtojnë një të tretën e importeve të naftës në Korenë e Veriut, të konsideruara jetike sa i takon përpjekjeve të Veriut komunist për të zhvilluar armë nukleare.

Rezoluta, mes të tjerash, ndalon plotësisht importin e gazit natyror dhe zëvendësuesve të tjerë të naftës, eksportin e tekstileve, i jep fund kontratave shtesë të punësimit të koreano-veriorëve jashtë kufijve dhe sanksionon entitete të caktuara qeveritare.

Top Channel