Bannon “zgjidh” gjuhën, kritikon publikisht Trumpin

12/09/2017 00:00

Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, ish-kryestrategu Steve Bannon e ka më të lehtë të përcjellë publikisht atë që mendon, e këtë nuk ngurroi ta bënte në emisionin “60 minuta” të “CBS”, ku e cilësoi shkarkimin e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, si njërin prej gabimeve më të mëdha në “historinë politike moderne”.

“Nuk ka asnjë dyshim se po të mos ishte pezulluar James Comey nga puna, sot ne nuk do të kishim një prokuror të posaçëm. Nuk do të kishim një hetim ‘Mueller’ dhe as gamën e gjerë të veprimit, të cilën është e qartë që ai po e kërkon”, tha Steve Bannon.

Largimi i Comeyt shkaktoi një furtunë të vërtetë politike, e u pasua menjëherë nga caktimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller, për hetimin e ndërhyrjeve të supozuara ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke verifikuar këtu edhe lidhjet potenciale të Moskës me fushatën e Donald Trump.

Të hënën, Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders tregoi se presidenti i qëndron deri në fund vendimit të tij për shkarkimin e kreut të Byrosë Federale të Hetimit, e këshilltarët e mbështesin plotësisht.

“U tregua qartë në ditët që pasuan atë lëvizje, se presidenti pati të drejtë. Comey dha dëshmi të rreme e po kështu u përcolli fshehurazi gazetarëve informacione të klasifikuara”, tha ajo.

Javën e kaluar, grupi hetimor i Kongresit amerikan mori në pyetje për disa orë rresht djalin e Presidentit Trump, Donald Trump Jr., për të mësuar nëse rusët kanë ndërhyrë në fushatën presidenciale të babait të tij, vitin e kaluar.

Top Channel