Ish-gjeorgjiani, tashmë pa shtetësi, hyn “me forcë” në Ukrainë

11/09/2017 00:00

Ish-presidenti gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, dikur edhe guvernator rajonal në Ukrainë, ka mundur të hyjë në territorin e kësaj të fundit i ndihmuar nga qindra mbështetës të tij. Saakashvili tha se ishte “pushtuar” papritur në kufi nga një turmë simpatizantësh, aq sa e detyruan atë ta kalonte atë.

“Ata na pushtuan dhe na shtynë neve drejt futjes në territorin ukrainas”, tha ai. Zyrtarë ukrainas, megjithatë, njoftuan se ai ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe se 16 roje kufitare dhe gardianë të Gardës Kombëtare u plagosën. “Ka pasur përleshje në kufi mes mbështetësve të Saakashvilit dhe zyrtarëve kufitarë”, deklaroi Kievi zyrtar.

Saakashvili, dikur shtetas gjeorgjian e më pas ukrainas, tashmë është person pa shtetësi pasi pasaporta ukrainase iu anulua nga ish-aleati i tij, presidenti aktual i Ukrainës Petro Poroshenko, pas një distancimi mes tyre.

Ai kërkohet në Gjeorgji i akuzuar për vepra penale, të cilat ai thotë se nuk i ka kryer, por janë tërësisht të motivuara politikisht. Më herët gjatë së dielës, treni me të cilin udhëtonte ai u ndal në stacionin hekurudhor Przemysl të Polonisë, pasi rojet kufitare të Ukrainës i refuzuan atij hyrjen në vend.

Saakashvilit iu bashkuan një sërë mbështetësish, përfshi edhe ish-kryeministren e Ukrainës, tashmë udhëheqëse e opozitës, Yulia Tymoshenko. Ai deklaroi më pas për një televizion opozitar se, autoritetet kufitare kishin provokuar tej mase njerëzit. Por, ai lavdëroi rojet kufitare të Ukrainës, si dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare, për mospërdorimin e forcës.

Saakashvili, i lindur në Gjeorgji, është shprehur se dëshiron të kthehet në vendin e tij “adoptues” për të kundërshtuar vendimin e presidentit Poroshenko për heqjen e shtetësisë, gjatë muajit korrik, kur ai ishte jashtë Ukrainës.

Në vitin 2015 ai u emërua guvernator i Odessës nga Poroshenko, por dy ish-aleatët u distancuan nga njëri-tjetri nëntorin e kaluar, kur Saakashvili akuzoi presidentin se po bllokonte përpjekjet e tij për të ndalur korrupsionin. Por, në momentin kur pranoi shtetësinë ukrainase, ai dorëzoi atë gjeorgjiane.

“Realiteti im sot është se, pasaporta gjeorgjiane nënkupton burgimin e garantuar për mua në Gjeorgji”, tha ai për BBC-në në atë kohë. Megjithatë, edhe nëse qëndron në Ukrainë, ai me shumë mundësi do të arrestohet dhe deportohet për në Gjeorgji, për t’u përballur me akuzat. Por Saakashvili ishte i vendosur të rikthehej dhe të mblidhte mbështetësit e tij politik, e këtë e kishte shpallur që në korrik.

Ukraina është një vend firmëtar i Konventës së OKB-së për Reduktimin e Shtetasve pa shtetësi, e cila ndalon tërheqjen e shtetësisë nëse një gjë e tillë do të rezultojë që personi të mbetet pa një të tillë. Përjashtime mund të bëhen në rrethana tejet të kufizuara, nëse ekziston mashtrimi apo mosbesimi ndaj shtetit, edhe pse nuk dihet nëse ndonjëri prej këtyre rasteve mund të aplikohet në çështjen e Saakashvilit.

Top Channel