Dallas, vriten në shtëpi 7 persona. Festë për ndeshjen e “Cowboys”

11/09/2017 00:00

Një person i armatosur ka vrarë 7 persona në Dallas të Teksasit, përpara se të qëllohej për vdekje nga efektivët e policisë. Dy të tjerë, të plagosur gjatë të shtënave, ndodhen aktualisht në spital, pas ngjarjes së shënuar natën e së dielës.

Zëdhënësi i policisë, David Tilley deklaroi se agresori është vrarë nga oficeri i parë i thirrur në ndihmë, pas një shkëmbim zjarri me të. Oficeri, siç tha ai, nuk është plagosur.

Ende nuk dihet me saktësi se cili është motivi i sulmit në periferinë Plano, apo nëse agresori i njihte viktimat e tij. “Jemi duke grumbulluar të gjitha të dhënat e mundshme për të detajuar këtë ngjarje”, tha Tilley.

E përditshmja lokale “Dallas News” raporton se të vrarët ishin duke parë ndeshjen e futbollit amerikan ku luante ekipi “Dallas Cowboys”, kur shpërtheu papritur akti i dhunshëm. Media në fjalë citoi një fqinj të thoshte se, në pronën ku ndodhi ngjarje ishte organizuar një festë për ndjekjen e kësaj ndeshjeje, që kishte nisur qysh pasdite herët, teksa njerëzit dukeshin të qeshur dhe ofronin ushqime në ambientet e jashtme.

Policia nuk ka identifikuar ende as agresorin dhe as viktimat, por është mjaftuar të thotë vetëm se të gjithë ata janë të rritur. Edhe gjendja e dy të mbijetuarve të të shtënave nuk dihet.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel