Kim Jong-un, banket për shkencëtarët dhe ushtarakët

10/09/2017 00:00

Udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un ka marrë pjesë në një festë masive për të përgëzuar shkencëtarët dhe teknicienët e tij bërthamorë, të cilët drejtuan testin e gjashtë dhe më të fuqishmin bërthamor të vendit, një javë më parë. Lajmi njoftohet këtë të dielë nga media shtetërore “KCNA”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë qenë në gatishmëri të një lëshimi rakete me rreze të gjatë të shtunën, kur shënohej edhe 69-vjetori i themelimit të Koresë së Veriut, por realisht nuk pati provokime të mëtejshme, pavarësisht se Veriu komunist mbajti një seri shfaqjesh për të shënuar këtë ditë të rëndësishme.

Gjatë javës së kaluar, zyrtarë të Koresë së Jugut paralajmëruan se vendi i izoluar komunist mund të lëshonte një tjetër raketë balistike ndërkontinentale, në shkelje të sanksioneve të OKB-së dhe në mesin e përshkallëzimit të retorikave me Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së ditën e premte, për mbajtjen e një takimi të hënën për të votuar një projektrezolutë përmes së cilës i vendosen një sërë sanksionesh të reja Koresë së Veriut, si pasojë e programeve të saj raketore e bërthamore.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Itsunori Onodera tha se ushtrimi i presionit ndaj Koresë së Veriut përmes sanksioneve të mëtejshme ishte jetik, e këtu përfshihen edhe bllokimi tërësisht apo i pjesshëm i furnizimit të saj me naftë.

“Nëse ushtrojmë një presion të vendosur ndaj Veriut, në mënyrë që Peniani të kuptojë se nuk mundet të zhvillojë më raketa, atëherë ai do të pranojë dialogun dhe ne do të mund të shënojmë progres me përpjekjet tona diplomatike”, tha Onodera për rrjetin televiziv publik “NHK”, të dielën. “Për sa kohë ne nuk ushtrojmë presion me vendosmëri, Veriu nuk do të ndryshojë kurs”.

“KCNA”-ja njoftoi se Kim kishte organizuar një banket për të përgëzuar shkencëtarët bërthamorë dhe ushtarakët më të lartë të vendit, sikurse edhe zyrtarët e partisë, që kontribuuan në testin e bombës bërthamore të dielën e kaluar, një festim që kulmoi me një performancë artistike, e madje edhe shkrepjen e fotove me vet udhëheqësin suprem të vendit.

Top Channel