Skënderbeu nuk diskuton Flamurtarin

09/09/2017 00:00

“Nuk e njohim Flamurtarin”, do të shprehej dy ditë më herët trajneri i korçarëve, Ilir Daja dhe ashtu rezultoi.

Skënderbeu mposhti 2-0 vlonjatët, në një ndeshje të cilën e patën nën kontroll gjatë gjithë 90 minutëshit.

Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e dytë, me një gol të shënuar nga Sabien Lilaj, me një penallti të fituar mjeshtërisht nga sulmuesi Soue.

Në pjesën e dytë Skënderbeu hipotekoi fitoren, me golin e dytë të shënuar nga i sapofuturi në lojë, mesfushori Gjergji Muzaka.

Për korçarët debutuan sot edhe sulmuesit Sahiti dhe Nespor, të afruar rishtaz në ekip, të cilët pritet të kenë një rol të rëndësishëm në aventurën europiane.

Nga ana tjetër, Flamurtari, pavarsisht afrimeve të shumta, u duk i pafuqishëm për t’u përballur me eksperiencën dhe cilësinë e Skënderbeut.

Në takimin tjetër të ditës së sotme, atë mes Teutës dhe Luftëtarit, durrsakët arritën të triumfojnë 2-1.

Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë të takimit, ndërsa gjirokastritët luajtën për rreth 60 minuta me një futbollist më pak, pas kartonit të kuq, të marrë nga Nunes.

Top Channel