Partizani, Iuliano: Jemi gati për titull

09/09/2017 00:00

Partizani do të debutojë ditën e dielë në këtë sezon të 79 të Superligës, përballë Laçit, një skuadër e cila në të shkuarën i ka hapur jo pak probleme.

Ky sezon i kampionatit shqiptar, për skuadrën e të kuqve fillon nën drejtimin e trajnerit Mark Iuliano dhe me një skuadër të formuar prej tij dhe prej këshilltarit Luciano Moxhi.

“Po punojmë për të përmirësuar punën e bërë deri tani. Nëse arrin të dalësh vetëm i dyti, atëherë ajo që duhet të bësh është të punosh më shumë për të përmirësuar atë pozicion. Ne do të luftojmë gjithnjë deri në fund, deri sa të kemi forca.  Do te jemi në gjendje për të arritur objektivin që të gjithë e dinë”, tha Iuliano.

Më pas italian ka kaluar tek ndeshja e parë, debutuese për të si trajner në Superligën shqiptare.

“Është detyra ime që të njoh si skuadrën time ashtu dhe atë kundërshtare. Kemi pasur vështirësi në studimin e Laçit, pasi kishim pak informacione dhe pak pamje filmike. Për fat kemi një staf italo-shqiptar, që ka punuar shumë mirë dhe që më siguroi nformacionet për të cilat kisha nevojë. Ka ende zhgënjim për ndeshjen e sezonit të kaluar ndaj Laçit, por ky është një kampionat tjetër, një fillim i ri”, u shpreh italiani.

Ndërkohë Partizani në këtë ndeshje të parë nuk do të jetë me të gjithë grupin e plotë. Një nga mungesat që bie në sy, është blerja më e bujshme e të kuqve, sulmuesi Edgar Çani, i cili është operuar dhe për 2-3 muaj do të qëndrojë jashtë fushës.

Top Channel