Kosovë, Kuvendi voton qeverinë Haradinaj

09/09/2017 00:00

Kuvendi i Kosovës ka votuar pasditen e vonë të së shtunës qeverinë e re që do të drejtohet nga Ramush Haradinaj.

Ka qenë Lista Serbe që ka plotësuar kuorumin e votave, 62 pro, që sjell në pushtet koalicionin PAN, i drejtuar nga ish-komandantët e UÇK-së, plus AKR-në e Behgjet Pacollit.

Vota e partisë që përfaqëson pakicën serbe të Kosovës ka ardhur në minutat e fundit, pas një konsultimi të gjatë të liderëve të saj në Beograd.

Në fjalën e tij në fillim të seancës parlamentare, kryeministri Haradinaj prezantoi prioritetet e kabinetit të tij, që do të jenë: forcimi i rendit dhe ligjit, anëtarësimi në NATO, integrimi, dialogu me Serbinë.

“Kosova sot rrezikohet nga rreziqe të reja e të vjetra, ndaj asaj i duhet së pari siguri e brendshme, forcim i rendit dhe shtetit ligjor. Vetë Kosova do të ndihet e sigurtë vetëm me anëtarësimin në NATO dhe ne do të punojmë për ta çuar drejt NATO-s. Anëtarësimi në organizmat ndërkombëtare është vështirësuar, por ne do të punojmë edhe për këtë. Ne do punojmë në kohë rekord për implementimin e MSA-së dhe do të marrim statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, ne do të forcojmë miqësinë me Shtetet e Bashkuara, një miqësi e përhershme dhe jo vetëm për kohë të vështira. Sa për rajonin, dialogu me Serbinë nuk ka alternativë”, deklaroi Haradinaj.

Më tej, duke premtuar se do të jetë kryeministri i të gjithëve, përfshirë pakicat, Haradinaj iu drejtua atyre në serbisht. Nga opozita, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca kritikoi programin e koalicionit.

“Programi i qeverisë ishte i shkurtër sepse ishte i varfër”, u shpreh Konjufca, i cili kërkoi një mocion të menjëhershëm për votimin e qeverisë, në kohën kur në sallë mungonin deputetët serbë.

Kërkesa e tij, e mbështetur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk u miratua dhe ia la vendin debateve dhe më pas një ndërprerjeje që zgjati disa orë.

Disa nga emrat e kabinetit Haradinaj:

Kryeministër: Ramush Haradinaj

Zv.kryeministër i parë: Behgjet Pacolli

Zv.kryeministër: Enver Hoxhaj

Zv.kryeministër: Fatmir Limaj

Zv.kryeministër: Dardan Gashi

Ministër i FSK-së: Rustem Berisha

Ministër i Financave: Bedri Hamza

Ministër i Shëndetësisë: Uran Ismaili

Ministre e Integrimit: Dhurata Hoxha

Ministër i Punës dhe Mirëqënies: Skënder Çiça

Ministër i Tregtisë: Bajram Hasani

Ministër i Jashtëm: Behgjet Pacolli

Ministre e Mjedisit: Albera Reshitja

Ministër i Diasporës: Dardan Gashi

Ministër për Administratën: Ivan Teodosjeviç

Top Channel