Irma i sulet Kubës

09/09/2017 00:00

Pasi shkatërroi “parajsën” e Barbudës, mbuloi me ujë një pjesë të mirë të ishullit St. Martin dhe la me mijëra vetë pa energji elektrike në Porto Riko, uragani Irma tani po e shfryn tërbimin e tij në tokën kubane.

Stuhia pati një ulje të fuqisë të premten, duke kursyer në masë të madhe ishujt Bahamas, për shkak të ndryshimit të trajektores, por në orët e vona të së premtes ajo u forcua sërish e u përplas mbi arkipelagun Kamaguej, duke u kthyer në uraganin e parë të kategorisë së pestë që godet Kubën prej dekadash.

E madhe është frika në Florida, ku 5.6 milionë personave apo 25% të popullsisë së këtij shteti amerikan, i është kërkuar të largohen teksa stuhia afrohet kanosëse. Autoritetet vendore trokitën derë më derë për t’i paralajmëruar banorët mbi rrezikun real të uraganit shkatërrimtar.

“Nëse u është kërkuar të largoheni, ikni tani! Jo pas një orë, jo pas një dite, por tani”, tha guvernatori Rick Scott.

Të paktën 24 vetë kanë humbur jetën nga Irma në Karaibe dhe ankthi në Florida është i madh.

Top Channel