Agon Mehmeti i bashkohet Oxfordit

08/09/2017 00:00

Ish lojtari i Kombëtares Shqiptare, sulmuesi Agon Mehmeti do të aktivizohet për ekipin anglez, Oxford United, që militon në Ligën e parë.

Pas eksperiencës së dështuar në Turqi, me klubin e Genclerbirligi, ai ishte një lojtar i lirë dhe në këtë mënyrë, ekipi anglez ka arritur ta federojë dhe ta prezantojë si blerjen më të fundit.

Mehmeti u kërkua me ngulm nga trajneri i anglezëve, Pep Clotet, me të cilin ka bashkëpunuar edhe në vitin 2010, te suedezët e Malmoes.

Sulmuesi shqiptar ka eksperiencë me disa klube europiane dhe në 229 ndeshje të luajtura ai numëron 54 gola.

“Jam shumë i lumtur që arrita marrëveshjen me këtë klub. E njoh trajnerin prej shumë vitesh dhe ky ishte një vendim shumë i lehtë për mua”, tha ai për transferimin.

Mehmeti ka lindur në Podujevë, por karrierën e ka nisur në radhët e Malmoes, në Suedi, ndërsa me Kombëtaren Shqiptare numëron tre ndeshje në vitin 2013. Përveç karrierës në Suedi ai ka luajtur edhe me Palermon, Novaran, Olhanensen dhe Stabaek.

Top Channel