Premier League, merkatoja e ardhshme mbyllet më 9 gusht 2018

07/09/2017 00:00

Ai ishte një propozim i klubeve të Premier League, mori një ditë më parë pëlqimin e presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, e tashmë është bërë fakt i kryer, ose siç e quajnë në Angli, ndodhi “kthesa historike”.

Klubet e elitës së futbollit anglez kanë votuar në favor të mbylljes së mëhershme të merkatos verore, pikërisht përpara fillimit të kampionatit.

Ishte vet liga angleze, ajo që dha njoftimin përmes një komunikate zyrtare. “Klubet e Premier League, – lexohet në njoftim, – kanë arritur akordin për ta përmbyllur merkaton verore të enjten në orën 17, të javës së fundit para nisjes së sezonit”.

Kjo normë e re pritet të aplikohet në realitet verën e ardhshme, përpara nisjes së Premier League, e që përllogaritet të jetë ora 17 e së enjtes së 9 gushtit.

“Ky vendim ka të bëjë vetëm me klubet e Premier League, e jo ato të federatave të tjera europiane”, përfundon komunikata. Skuadrat mund të vazhdojnë, gjithsesi, t’i sheshin lojtarët e tyre në ato kampionate ku merkatoja nuk rezulton e përfunduar, megjithatë nuk mund të blejnë më përtej këtij afati.

Vendimi është marrë edhe për t’i dhënë fund disa paradokseve që ndodhnin shpesh në botën e futbollit, më i fundit rast ai i Alex Oxlade-Chamberlain. Lojtari u aktivizua me Arsenalin në humbjen 4-0 ndaj Liverpoolit, në javën e tretë të kampionatit më 27 gusht, për të kaluar më pas te “të kuqtë” më 31 gusht, ditën e fundit të merkatos së kësaj vere.

Një vendim ky që ka gjetur përshëndetjen edhe të administratorit të deleguar të Juventusit, Beppe Marotta, që ashtu si Aleksander Ceferin kishte propozuar afrimin e fundit të merkatos verore.

“Zgjedhja e Premier League më duket e mençur. Merkatoja duhet të ketë kufij, por tani duhet një diskutim gjithëpërfshirës në nivel europian”.

Top Channel