Panucci: Dua të luaj futboll. Në fushë, lojtarët më cilësorë

07/09/2017 11:20

Christian Panucci doli në një konferencë për shtyp përpara mediave për të bërë një analizë pas dy ndeshjeve zyrtare eleminatore të zhvilluara në krye të kombëtares shqiptare të futbollit dhe për të folur për të ardhmen e skuadrës kuqezi.

Trajneri italian theksoi se nga sot, Shqipëria do të jetë hedhë në fushë lojtarët më cilësorë që ka në dispozicion.

“Ka dy skuadra më lart se të tjerat: Gjermania dhe Spanja. Të tjerat janë skuadra që mundohen të hedhin në fushë cilësi sepse për të punuar trajnerët nuk kanë shumë kohë. Unë dua të luaj futboll. Jam i bindur se me shumë mundësi është më mirë të luajmë me 3 në mesfushë. Kërkoj mesfushorë dhe sulmues me cilësi. Kemi një listë me lojtarë në Europë që do të shkoj t’i shikoj. Por, duke mos pasur kohë për të punuar, do të mundohem të hedh në fushë lojtarët më cilësorë. Kjo është ideja ime nga tani në vijim”, tha Panucci.

Trajneri bëri dhe një analizë të barazimit në Maqedoni.

“Në Maqedoni bëra një zgjedhje Lila-Kukeli sepse kisha frikë nga dëshira dhe vrulli i kundërshtarit, duke hequr dorë nga qarkullimi i topit. Por, nga ana tjetër vura 4 lojtarë përpara: Hyka, Roshi, Sadiku dhe Llullaku. Kisha frikë nga kundërsulmi i Maqedonisë po të humbnim topin. Tani që e njoh më mirë skuadrën, them se sa më shumë cilësi të hedhim në fushë, aq më mirë është. Nëse Sadiku do të shënonte golin e dytë, unë do të isha i zoti. Por, në fund rrezikuam ta humbisnim lojën. Ramë fizikisht dhe Maqedonia rriti ritmin”, u shpreh Panucci.

Në lidhje me dy sfidat e radhës, Panucci theksoi se Shqipëria do të japë maksimumin: “Do të shkojmë në Spanjë për të parë sa të mirë janë dhe për ta bërë kundërshtarin pak më të dobët. Nëse japim maksimumin, nuk kemi çfarë t’u themi lojtarëve. Nëse janë më të mirë, do i japim dorën dhe do të kthehemi në Tiranë, por përpara se t’ia japim dorën, do të përpiqemi. Edhe kundër Italisë do të mundohemi të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA