Koleksioni i fundit i Tom Ford, prezantuar në javën njujorkeze të modës, ka qenë një magnet i vërtetë për emra të njohur si Kim Kardashian, Cindy Crawford, apo Doutzen Krouse, të cilat shiu nuk i pengoi ta ndiqnin shfaqjen plot kënaqësi.

Supermodele të famshme të së shkuarës e së tashmes treguan sesa i madh ishte interesi për koleksionin “Pranverë-Verë” të stilistit tejet të vlerësuar.

Koleksioni i Ford çeli javën njujorkeze të modës të mërkurën, në “Park Avenue Armory”, dhe është i pari i prezantuar prej tij që nga rikthimi në SHBA pas 6 viteve të kaluara në Londër. Roza ka qenë ngjyra e mbrëmjes, ku ylli i “reality show”-t, Kim Kardashian u shfaq me flokë ngjyrë argjendi, nga të zezat që jemi mësuar ta shohim zakonisht.

Aktorja Julianne Moore nuk deshi ta humbiste kurrsesi shfaqjen, ndaj dhe nxitoi të mbërrinte në kohë, edhe pse sapo kishte zbritur nga avioni pas Festivalit të Filmit në Venecia. Pasarelën e Ford e zbukuruan disa prej modeleve më të kërkuara të momentit: Gigi Hadid, Kendall Jenner dhe Joan Smalls.

Java njujorkeze e modës, e parashikuar të zgjasë zakonisht nga e enjtja në të enjte, këtë herë do të përfundojë një ditë më shpejt, në mënyrë që blerësit potencialë dhe botuesit të kenë kohë mjaftueshëm për të mos humbur fillimin e javës londineze të modës.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel