3D nuk është vetëm një efekt special si mjet për të tërhequr vëmendjen, por edhe  një instrument për të interpretuar të kaluarën dhe për të ndërgjegjësuar mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike.

Përmes kësaj mënyre, vendi fqinj Italia ka nisur të rindërtojë trashëgiminë kulturore në mënyrë virtuale e tani mundesh të shohësh si ka qenë Pompei antik apo Colosseo më shumë se 1 shekull e gjysmë më parë.

“Kjo është një mundësi për të bërë restaurime duke e parë të kaluarën si ajo ka qenë. Është shumë e rëndësishme, sepse nëse sheh të kaluarën e kupton dhe nëse e kupton si ka qenë ajo atëherë mundesh ta duash atë dhe rrjedhimisht ta mbrosh atë. Të rinjtë nëse nuk e shohin nuk mundet të kuptojnë se kjo është pasuria dhe trashëgimia e tyre, është memoria jone”, shprehet Alessandro Furlan, Altari 4 rindërtues virtual i trashëgimisë kulturore  .

Restaurimi përmes realitetit virtual ndihmon edhe restauratorët në restaurimin e një siti arkeologjik. E nëse në praktikë mundesh të gabosh duke bërë një dëm të pandreqshëm, në projektin virtual nuk sjell asnjë dëm, përkundrazi, duke qenë një material video mund të shërbejë si një promo për zhvillimin e turizmit. Por sa kushton një projekt i tillë nëse implementimi i tij do të bëhej në Shqipëri?

“10 mijë euro kushton vetëm moduli. Kur kemi bërë Pompein kemi shpenzuar 200.000 euro, por Pompei është një qytet i tërë. Një muze kushton shumë më pak. Ndërhyrja në të gjitha rastet do të ishte shumë pak e kushtueshme nëse e krahason me ndërtimin e një stadiumi për të cilin të duhet të shpenzosh shumë më shumë. Veç kësaj për ne vendet mesdhetare këto video kthehen në promo turistike për të tërhequr njerëzit drejt Shqipërisë”, thotë Alessandro Furlan.

Top Channel