Qeveria e re “frenohet” nga serbët

06/09/2017 00:00

Lista Serbe është e gatshme që të jetë partner konstruktiv në institucionet e ardhshme të Kosovës dhe të punojë për përparimin e pozitës së të gjithë qytetarëve, e në veçanti të serbëve në hapësirën e Kosovës, thonë zyrtarët e Listës Serbe.

Igor Simiç, deputet i Listës Serbe dhe zëdhënës i këtij subjekti politik , thotë për Radion Evropa e Lirë se para se të arrihet çfarëdo marrëveshje me subjektet politike shqiptare, Lista Serbe do të konsultohet me Qeverinë në Beograd dhe me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Simiç thotë se Lista Serbe mirëpret arritjen e marrëveshjes mes AKR-së dhe PAN dhe forimimi i institucioneve të reja duhet të realizohet sa më parë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e koalicionit PAN, kanë theksuar se janë duke u koordinuar me Listën Serbe për marrëveshjen lidhur me formimin e Qeverisë së re, por ata nuk kanë dhënë detaje se mbi cilat kushte synohet një marrëveshje e tillë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj ka thënë se janë duke biseduar me Listën Serbe. Ndërkaq, lidhur me kushtet e kësaj të fundit, ai ka thënë se ato janë të njëjtat që kanë qenë edhe në mandatin e kaluar legjislativ dhe ekzekutiv.

“Ju i mbani mend nga seancat paraprake pozicionet e tyre. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim”, ka thënë Haradinaj.

Igor Simiç ka thënë se Lista Serbe do të jetë e hapur për bisedime pasi të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe pasi të mësohet emri i të mandatuarit për Kryeministër.

“Lista Serbe e ka prezantuar programin e saj dhe për të e ka marrë mbështetjen e qytetarëve. Kushdo që dëshiron të bisedojë me Listën Serbe duhet të tregojë respekt ndaj interesave të popullit serb në hapësirën e Kosovës, por edhe ndaj nesh si përfaqësues të serbëve”, tha Simiç.

Bisedimet e përfaqësuesve të koalicionit PAN me Listën Serbe ende janë duke vazhduar dhe deri më tani nuk ka ndonjë rezultat konkret për marrëveshje eventuale.

Top Channel