Eurobasket, Sllovenia e Spanja mbeten të pamposhtura

06/09/2017 00:00

Sllovenia dhe Spanja nuk njohin humbje në kampionatin europian të basketbollit për meshkuj.

Skuadra sllovene mundi Islandën në sfidën e katërt në grup, me rezultatin 102-75, në një sfidë të dominuar gjatë të gjithë kohës. Dragiç dhe basketbollistët e tjerë vuajtën vetëm në periodën e parë të sfidës, të mbyllur 25-23. Por duke nisur nga 10-minutëshi i dytë përballja nuk kishte histori, me Slloveninë që e sheh veten të kualifikuar për të fazën tjetër të kompeticionit.

Spanja merr e vetme kreun e grupit C. Skuadra e Sergio Scariolos fitoi edhe ndaj Kroacisë, në sfidën me interesin më të madh. Ndryshe nga 3 përballjet e para, këtë radhë Spanja “djersiti” shumë për të fituar ndaj ballkanasve me rezultatin 79-73.

Ndeshja mes Spanjës dhe Kroacisë ishte e luftuar nga të dyja skuadrat, e ajo fituese u përcaktua vetëm në minutat e fundit të sfidës, me kampionët në fuqi të Europës që bënë më mirë sesa kundërshtarët në momentet më vendimtare, për ta kaluar edhe këtë ndeshje me sukses.

Në grupin D, Rusia pësoi humbjen e parë në Europian dhe ajo që ia shkaktoi atë ishte Letonia, me rezultatin 84-69. Pjesa e parë ishte në favor të Rusisë, që e mbylli atë me avantazhin 44-34 falë lojës së Shved e Mozgov. Por pas pushimit, në parket u pa një ndeshje krejt tjetër. Timma dhe Smits i dhanë një tjetër impuls skuadrës letoneze, që gjatë të gjithë 20 minutave të dyta pësoi vetëm 25 pikë, për të përmbysur rezultatin e sfidës, të cilën e mbylli me 15 pikë avantazh.

Në ndeshjet e tjera të Eurobasket spikat fitorja e Gjermanisë ndaj Italisë, 61-55, Franca mundi Poloninë 78-75, ndërsa Lituania shkatërroi Ukrainën 94-62.

Top Channel