Barça, Iniesta kthehet në çështje. Mohon Bartomeun

06/09/2017 00:00

Andres Iniesta është një hap larg rinovimit me Barcelonën, kishte deklaruar presidenti blaugrana Josep Bartomeu, por duket se nuk është kështu. Mohimi vjen nga vet kapiteni i katalanasve.

Në momentin e mbërritjes në aeroportin “El Prat”, Don Andres, siç e thërrasin të gjithë në Spanjë, është “pushtuar” nga gazetarët spanjollë që i kërkonin një koment për fjalët e presidentit të Barcelonës.

Përgjigjja ndaj pyetjes nëse mund ta konfirmonte apo jo akordin më parim për rinovimin e kontratës, lojtari i është përgjigjur shkurt dhe thjesht: Jo!

E në këtë mënyrë tejet të qartë, mesfushori, kontrata e të cilit skadon në qershor të vitit të ardhshëm, ka shtuar dyshimet mbi qëndrimin e tij në Katalunjë pas plot 16 sezonesh me Barcelonën, e 632 takimeve të luajtura me ekipin blaugrana.

Një goditje e rëndë kjo për t’u kapërdirë nga Bartomeu, i cili vetëm pak orë më herët kishte deklaruar në një intervistë për “Sport.es” se Andres duhej ta mbyllte karrierën te Barcelona.

Për lojtarin e përfaqësueses spanjolle, 33 vjeç, mbi të gjithë është i interesuar Juventusi. Mosha duket disi e madhe, por kapiteni i Barçës udhëhoqi “La Roja”-n për 72 minuta gjatë fitores në “Bernabeu” ndaj Italisë dhe për plot 90 minuta në goleadën e fundit 8-0 ndaj Lihtenshtajnit në Vaduz.

Top Channel