Pakti i AKR me PAN, Mustafa: Koalicion pazaresh

05/09/2017 00:00

Pakti që zhbllokon situatën politike dhe institucionale në Kosovë u arrit vetëm disa orë pas largimit të AKR-së nga koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa reagoi shumë shpejt nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku kujtoi se me Behgjet Pacollin dhe AKR-në, LDK-ja ka pasur një frymë të gjatë bashkëpunimi edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme.

“Ne gjetëm harmoni në planin politik e atë programor. LDK, AKR si edhe Alternativa e kishin të qartë se cilët janë ata që kanë kapur pushtetin dhe republikën. Votuesit e saj e kanë dëshmuar më së miri kur kanë vendosur të “kthehen në shtëpinë e tyre, siç shpreheshin ata vetë, në shtëpinë e Ibrahim Rugovës. Prandaj, koalicioni ynë ishte bashkim i votuesve tanë. Por presioni i përditshëm mbi Pacollin e bëri të veten, ashtu siç e bëri edhe oferta tejet bujare ndaj biznesmenit Pacollit. Ajo çfarë është e qartë nga ky koalicion është se nuk fitoi askush, as Pacolli me megaministritë e tij, as Ramushi me një qeveri asimetrike, as sekserët e “Listës Rugova” dhe më së paku fitoi Kosova, e cila më së shumti për gjashtë muaj do të shkojë në zgjedhje të reja. Për mua si Kryetar i LDK-së janë shumë shqetësuese pazaret kaq të mëdha për të qeverisur me çdo kusht. Prapa saj mund të fshihen interesa të mëdha, ose frikë e madhe”, shprehet Mustafa.

Marrëveshja e AKR me PAN i siguroi Ramush Haradinajt postin e Kryeministrit, por partisë së Behgjet Pacollit i kalon 5 prej ministrive më të rëndësishme. Aleanca Kosova e Re, sipas mediave vendase, merr Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Brendshme. AKR-së i takon edhe posti i zëvendëskryeministrit e do të ketë po keshtu dhe shtatë zëvendësministra. Pakti pritet t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja falë 63 deputetëve të mjaftueshëm për formimin e qeverisë.

Kosova e Re ka fituar katër mandate në Parlamentin e Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare kur konkuroi e vetme, ajo nuk kishte mundur ta kalonte pragun zgjedhor. Në marrëveshjen e nënshkruar nga udhëheqësit e PDK-së, Kadri Veseli, AAK-së,  Ramush Haradinaj, Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe Pacollit përfshihet edhe posti i Presidentit të Kosovës pas përfundimit të mandatit nga ana e Hashim Thaçit.

Ujdia tregon se palët kanë rënë dakord që pozicioni i kreut të shtetit t’i takojë AKR-së në mandatin e ardhshëm, pavarësisht mënyrës së votimit, qoftë ai në Parlament, qoftë edhe drejtpërdrejtë nga populli.

Partitë që përbëjnë koalicionin PAN ranë dakord të mos kenë kandidatë të tyre për President të vendit duke u detyruar kështu të mbështesin kandidatin e AKR-së. Në marrëveshje përfshihen edhe postet e ambasadorëve dhe agjencive qeveritare të cilat thuhet se duhet të ndahen në mënyrë “dinjitoze dhe profesionale”.

Top Channel