US Open, eliminohen Muguruza e Sharapova

04/09/2017 00:00

Garbine Muguruza dhe Maria Sharapova janë emrat e tjerë të njohur që i thanë lamtumirë turneut US Open.

Tenistja spanjolle, e cila synonte ngjitjen në krye të renditjes WTA, u mund në raundin e katërt nga Petra Kvitova me rezultatin 2-0 (7-6 dhe 6-3). Kvitova e fitoi setin e parë me “tiebreak” pasi e pa veten në disavantazhin 1-4, ndërkohë që i dyti ishte më i lehtë për të.

Kvitova do të luajë në çerekfinale ndaj Venus Williams, e cila mundi me shumë vështirësi spanjollen Navarro 2-1. Amerikania fitoi setin e parë 6-3, por humbi të dytin po 6-3. Gjithsesi, 37-vjeçarja arriti të reagojë në setin final që e mbylli 6-1.

U mbyll aventura amerikane edhe për Maria Sharapovën. Ajo që shkaktoi eliminimin e ruses në 1/8 e finaleve ishte letonezja Amastasija Sevastova, e cila e fitoi ndeshjen 2-1. Sharapova e nisi mirë sfidën teksa fitoi setin e parë 7-5, por Sevastova iu kundërpërgjigj duke bërë të sajat dy setet e tjerë 6-4 dhe 6-2.
 
Në kampin e meshkujve, rrugëtimi i Denis Shapovalov ndërpritet në raundin e katërt të US Open. Adoleshenti kanadez u eliminua nga spanjolli Carreno-Busta, i cili e fitoi këtë përballje 3-0. Busta e pati të vështirë në të 3 setet të cilët arriti t’i fitojë në të njëjtën mënyrë: me “tiebreak” 7-6.

Top Channel