Fqinji del dëshmitar në gjyqin e të akuzuarit për krime lufte

04/09/2017 00:00

I dyshuar për krime lufte në Kosovë, në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës, Bogdan Mitroviç, i arrestuar ditë më parë, është duke u mbajtur në paraburgim.

Avokati i tij, Dejan Vasiç deklaron se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm. Ndërkohë, një nga fqinjët e tij pretendon se është dëshmitar për veprat penale të Mitroviçit, që lidhen me krime lufte gjatë vitit 1999.

Mitroviç u arrestua më 28 gusht në momentin ku së bashku me një grup serbësh po vizitonin shtëpitë e tyre në Mushtisht të Komunës së Suharekës. Menjëherë Gjykata Themelore e Prizrenit miratoi kërkesën e Prokurorisë Speciale duke i caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 30 ditë.

Mitroviç dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën e 2 prillit të 199 në fshatin Sopi, ku u vranë 32 civilë të paarmatosur.

Xheladin Sadikaj nga fshati Sopi thotë se është njëri nga dëshmitarët e veprave penale për krime luftë me të cilat dyshohet Bogdan Mitroviq.

Në një bisedë për Radio Europa e Lirë, ai shprehet se Mitroviç duhet të përgjigjet për veprat që i ka kryer gjatë luftës kundër popullatës civile, kundër popullatës së pambrojtur të fshatit Sopi. Sadikaj tha se Bogdan Mitroviç ka qenë një prej organizatorëve të masakrës së fshatit Sopi.

“Jo vetëm unë, por ka shumë e shumë dëshmitarë të tjerë që vërtetojnë fajësinë e tij. Ky është person i cili është identifikuar. Ka dëshmitarë okularë, ka dëshmitarë të cilët e kanë parë, janë dokumentacionet të cilat janë gjetur pranë arkivave që i kanë lëshuar nga vendet përgjegjëse me organizim, me operativën që e kanë pasur dhe me kandidatët që duhet të eliminohen”, thotë Sadikaj.

Ndërkohë, avokati i Mitroviçit, Dejan Vasiç ka deklaruar për Radion Europa e Lirë se lënda e Mitroviçit është ende në fazën e hershme të hetimeve dhe sipas tij, ende nuk është përcaktuar pjesëmarrja e tij në këto vrasje.

Top Channel