F1, Hamilton dominon në shi, “pole position” në Monza

02/09/2017 00:00

Provat zyrtare të Monzës kanë zgjatur gati 4 orë për shkak të shiut të rrëmbyer, ndërsa Lewis Hamilton  ishte më i shpejti duke marrë “pole position”.

Prova zhgënjyese këto për dy pilotët e Ferrarit, pasi Vettel mori vetëm vendin e 6, ndërsa Raikkonen i 8.

Dy makinat Red Bull ishin menjëherë pas Hamilton, me Verstappen e Ricciardo, por për shkak të një penaliteti do të duhet t’i lënë pozicionet dhe Ocon do të niset i dyti ditën e nesërme.

Provat nisën normalisht në orën 14:00, por vetëm pas 5 minutash u mor vendimi për t’i ndërprerë përkohësisht për shkak të reshjeve të shiu që përfshinë pistën e Monzës. Ndërkohë Romain Grosjean u përfshi në një aksident që në xhiron e parë të shpejtë dhe organizatorët shpalosën flamurin e kuq.

Sesioni i parë rinisi në orën 16:40 minuta nga i cili kishin mbetur edhe 13 minuta e 31 sekonda. Bottas e Hamilton menjëherë vendosën kohët më të shpejta në këtë sesion, ndërsa pas tyre u rendit Vettel. Vetëm vendi i 7 për Raikkonen.

Edhe në sesionin e dytë ishin dy makinat Mercedes më te shpejtat, me Hamilton të parin e Bottas i dyti. Në sekondat e fundit, Verstappen vendosi kohën më të shpejtë se Vettel duke i marrë vendin e tretë pilotit të Ferrait, ndërsa Raikkonen u rendit t gjashti në këtë sesion.

Reshjet e shiut vijuan edhe në sesion e fundit dhe më të rëndësishmin, por megjithatë drejtuesit e garës lejuan vazhdimin e provave dhe Hamilton dominoi sërish duke marrë “pole position”-in e 69 në karrierë.

Top Channel