Bisedimet Kosovë-Serbi, Thaçi dhe Vuçiç takim miqësor

31/08/2017 00:00

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini po ndërmjetëson në Brukesl takimin e radhës mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandër Vuçiç.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç ka publikuar në profilin e saj në Twitter dy fotografi të liderëve kosovar e serb me Mogherinin. Ajo tha më herët se dy Presidentët do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Thaçi dhe Vuçiç u takuan më 3 korrik dhe pas atij takimi thanë se janë pajtuar që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të hyjnë në një periudhë të re, ku do të diskutohen çështje më me peshë sesa aspektet teknike.

Presidenti kosovar tha atëherë se periudha e re do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes të dyja vendeve e dy popujve dhe do të mbyllte kapitullin e errët të së kaluarës, për të hapur të ardhmen e sigurtë evropiane.

I përballur me kritika në shtëpi, Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se do të angazhohet për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës që do të përfshihet në bisedimet më Serbinë. Homologu i tij serb Vuçiç kishte thënë se duhen biseda më serioze dhe më të guximshme brenda opinionit serb dhe atij shqiptar.

Në fund të muajit korrik, Vuçiç paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç tha, zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës. Nisma e tij nxiti shumë reagime në Serbi, ku janë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës, që janë hedhur poshtë nga Prishtina.

Top Channel