Latifi: Çdo sekondë mendoj për Kombëtaren, jap maksimumin!

30/08/2017 00:00

Liridon Latifi po përjeton momentet më kulmore të karrierës. Kontributi i dhënë në kualifikimin e Skënderbeut në fazën e grupeve të Europa League, transferimi te Akademia Pushkash në kampionatin hungarez dhe ftesa e Cristian Panuccit për dy ndeshjet e radhës Eliminatore të Botërorit. 23-vjeçari e deklaroi në konferencën për shtyp të Kombëtares, se në çdo hap ta karrierës së tij ka menduar për ngjyrat kuqezi.

“Latifi çdo sekondë te karrierës sime kam menduar që një ditë të jem pjesë e kombëtares. Çdo gjë e bëj për të mirën time dhe për t’i lënë përshtypje trajnerit. Jam i gatshëm në çdo moment për Kombëtaren. Shpresoj që aftësitë e mia t’i shpreh edhe në Kombëtare”.

Pasardhësi i De Biasit për shkak të dy mungesave të rëndësishme, ka në dispozicion vetëm Sadikun për rolin e sulmuesit të avancuar. Duke anashkaluar komentet për mosgrumbullimin e Cikalleshit, Latifi shprehet i gatshëm për të dhënë kontributin në çdo pozicion kur trajneri e sheh të arsyeshme.

“Për kombëtaren duhet të pranojmë të luajmë në çdo pozicion, me rëndësi është që të ndihmojmë kombëtaren. Për sa i përket dënimit të Cikalleshit nuk kam përgjigje, i përket trajnerit dhe futbollistit. Unë thjesht duhet të respektoj vendimet e trajnerit”.

Sipas Latifit, Panucci është një trajner i shkëlqyer dhe ka filozofinë e tij, ndërsa e ka të qartë se pa Balajn dhe Cikalleshin, mundësitë për të qenë në fushë ndaj Lihtensteinit, janë më të mëdha.

“Çdo trajner ka filozofinë e vet, edhe Panucci ka futur gjëra të reja. Është një trajner i ri që ka të ardhme të shkëlqyer. Nëse mungojnë tre lojtarë kemi shanse më shumë për të luajtur. Sepse zakonisht të parët që zëvendësohen janë sulmuesit. Janë dy ndeshje të rëndësishme, por fillimisht duhet të fokusohemi te Lihtenshtejni.”

Në fund, Latifi jep arsyet pse vendosi të pranonte ofertën e Akadmisë Pushkash.

“Akademia Pushkash ka bërë shumë blerje dhe ka një projekt shumë ambicioz sigurisht që ka qenë edhe oferta financiare që ka patur ndikimin kryesor në vendimin tim”, tha ish-lojtari i Skënderbeut.

Top Channel