Grezda optimist: Marrim 6 pikë në dy ndeshje

30/08/2017 00:00

Ishte Eros Grezda lojtari i Kombëtares që doli në konferencë për shtyp ditën e sotme në prag të dy ndeshjeve eliminatore ndaj Lihtenshtejnit dhe më pas Maqedonisë, duke u shprehur mjaft optimist për rezultate pozitive.

Ai u shpreh se Kombëtarja do të marrë 6 pikë në dy sfidat eliminatore, por sipas tij përqendrimi fillimisht është i gjithi të Lihtenshtejni.

“Luajmë me Lihtenshtejnin dhe ne jemi ekipi favorit dhe duhet të sulmojmë, për këtë arsye trajneri ka grumbulluar më shumë lojtarë në repartin ofensiv pasi futemi në fushë vetëm për të marrë fitoren dhe për këtë duhet të luajmë me një skemë më sulmuese. Secili trajner ka metodat e veta të punës, por si me De Biasin ashtu edhe me Panuccin jemi të kënaqur po punojmë fortë dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën. Skuadra duhet të mendojë vetëm për ndeshjen me Lihtenshtejnin sepse nuk është një sfidë e lehtë, sot të gjithë kundërshtarët janë të vështirë, edhe pse në letër e quajmë si një sfidë të fituar duhet ti marrim pikët në fushë. Të mposhtim Lihtenshtejnin njëherë dhe pastaj të mendojmë për Maqedoninë, edhe atje do të shkojmë për fitore”, u shpreh Grezda.

Sa i përket aspektit personal të tij në Kombëtare, ai shprehet se gjithmonë kur i është dhënë mundësia është munduar të japë maksimumin, ndërsa tashmë shpreson të jetë edhe titullar.

“Për fat të keq nuk kam filluar asnjë ndeshje nga minuta e parë, kam luajtur disa minuta me Italinë dhe me Luksemburgun, nuk e di sesa kam arritur t’ia mbush mendjen trajnerit, por unë kam dhënë maksimumin dhe shpresoj të luaj që nga minuta e parë në ndeshjet e ardhshme. Nuk kam biseduar shumë me trajnerin e ri, kemi pak ditë që kemi ardhur dhe kemi qenë shumë të përqendruar në seancat stërvitore. Trajneri do të bëjë zgjedhjet e tij, për ne  futbollistët e rëndësishme është të tregojmë vlerat tona sa herë që na jepet rasti të luajmë”, tha Eros Grezda.

Top Channel