Vjen radha e debutuesve. Përshtypjet kuqezi të Ahmedit e Memollës

29/08/2017 00:00

Hysen Memolla dhe Valon Ahmedi janë dy prej risive të listës së parë të trajnerit Christian Panucci në grumbullimin e Shqipërisë. Dy debutuesit e përfaqësueses kuqezi rrëfyen edhe përshtypjet e tyre në ditët e para të stërvitjes. Futbollisti i lindur në Ohër zbuloi gjithashtu se, për Shqipërinë kishte refuzuar kombëtaren maqedonase.

“Kombëtarja është një ëndërr për mua, pasi jam edhe shqiptari i vetëm nga Maqedonia. Një ëndërr e bërë realitet dhe një nder për mua. Kam luajtur me Latifin dhe Grezdën. Janë lojtarë të mirë dhe ndihem mirë që do të luaj me ta te kombëtarja e madhe. Kam pasur miq dhe shokë, që më thonin ‘shko te Maqedonia’. Kam bërë zgjedhje me zemër. Sikur edhe një ndeshje të luaja te Shqipëria do të isha më i kënaqur sesa dy te Maqedonia. Panucci, në telefonatën e parë më përgozi për lojën që bëj. Shpresoj që ta ndihmoj kombëtaren me cilësitë që kam. Ftesa erdhi në momentin më të mirë të karrierës sime. Pas kualifikimit në Champions, tashmë erdhi edhe ftesa në kombëtare”, tha Valon Ahmedi, futbollist i Shqipërisë.

Ndërkohë, mbrojtësi 25-vjeçar Hysen Memolla rrëfeu se nuk e priste të grumbullohej, pavarësisht lojës së mirë me Hajdukun e Splitit.

“Nuk e prisja këtë ftesë, por jam shumë i lumtur që bëj pjesë në kombëtare dhe shpresoj të jap 100% me skuadrën”, tha Hysen Memolla, futbollist i kombëtares kuqezi.

Shqipëria do të luajë më 2 shtator me Lihtenshtajnin në “Elbasan Arena” dhe 3 ditë më vonë, në një tjetër kualifikuese botërori, do të impenjohet në Strumicë ndaj Maqedonisë.

Top Channel