Përforcohet Chelsea i Contes. Merr Chamberlain nga Arsenali

29/08/2017 00:00

Kërkesat e vazhdueshme për përforcime te kampionët e futbollit anglez të Antonio Contes, zgjuan më në fund nga gjumi emisarët e merkatos te “blutë” e Londrës.

Trajneri italian e cilësoi të pamundur punën me 13, ose më pak lojtarë, duke llogaritur edhe impenjimet e shumta në Angli dhe në Europë, e tani shton kontigjentin me një element cilësor si Alex Oxlade-Chamberlain.

Anësori ofensiv i kombëtares angleze, që kishte vetëm pak muaj të mbetura në kontratën me Arsenalin, u shit nga “topçinjtë” te skuadra rivale e Londrës për të mos e humbur falas në muajin qershor. “Daily Mirror” këmbëngul se talenti 24-vjeçar ka pranuar të ndryshojë ngjyrën e fanellës në blu, të cilën do ta përfaqësojë duke nisur nga java e ardhshme.

Transferimi do t’i kushtojë Chelseat plot 40 milionë euro. Chamberlain është aktualisht i grumbulluar me kombëtaren angleze, për impenjimet kundër Maltës dhe Sllovakisë, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2018. Por, këtë javë do të zhvillojë edhe vizitat mjekësore për të formalizuar kalimin te “blutë” e Londrës.

Top Channel